Në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar e shihja ne TV e Zagrebit, z. Hërvoje Macanoviç, i cili vazhdimisht fliste për kulturën e sportit por nuk e dija që ishte shqiptar i fshatit Arbanasi afër Zarës. Në teatrot e Kosovës po në ato vite luhej drama “Nita” e Josip Relës, po ashtu shqiptar nga Arbanasi. Na u bë e mundur që të dimë që se në qytetin bregdetar të Dalmacisë, në Zarë jetonte një komunitet shqiptarësh, dhe ende flitnin shqip. Që kur? Gati që 300 vjet flitej edhe shqip, dhe nuk harrohej shqipja.

Po në vitet ‘70, shumica nga ne mësuam që… Prof.Idriz Ajeti në vitin 1958 e kishte mbrojtur disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë. Dhe sot lexoj (në burimet kroate) që studimin më të thellë të zhvillimit historik të të folmes se shqiptarëve të Zarës e kishte bërë Prof. Idriz Ajeti duke e krahasuar deri në imtësi me të folmen shqipe të fshatrave shqiptare në Krajinë (Kroaci) (shqiptarët e ardhur nga Zara në Krajinë, Burimet kroate).

Thuhet dhe është e shkruar që shqiptarët kishin ardhur këtu: “Arbanasit e Zarës u zhvendosën nga vendlindja e tyre e rrethit të Liqenit të Shkodrës, në fshatin (e quajtur më vonë) Arbanasi, duke iu falenderuar kryepeshkopit të atëhershëm të Zarës Vicko Zmajeviç me qëllim edhe të ringjalljes së këtyre viseve të shkreta të rrethit të Zarës (burime kroate). Vetvetiu të lindin pyetjet dhe sinqerisht iu them që nuk e di përgjigjen. Pse mu rreth Zarës shkuan fshatarët e Shestanit dhe Briskut? Ikën nga turku, këtë e dimë, por a mos i kishin lidhjet e tyre me shqiptarët (arbanasët?) e shumë më të hershëm të atyhit? Pastaj më lart lexuam që «disa” nga ata më vonë u zhvendosën e Krajinë. Pse m’u në Krajinë? A mos u tërhoqën njëri nga tjetri, d.m.th. shqiptarët (ardhacakët) e rinj nga ata të moçëm. Mbetet për t`u hulumtuar, pse jo?

“Enjo Gërdoviç, kryetar i shoqatës së Shqiptarëve të Zarës (Tetor 2010) pati thënë – Ne duam që gjuha (e folmja) e gjyshërve, etërve dhe paraardhësve tanë, por edhe asaj të Vicko Zmajeviçit të mbetet e gjallë edhe pas nesh. Nuk duam që të jemi brezi i cili e ndërpreu traditën e të folmes sonë dhe për këtë e kemi filluar një shkollë në të cilën fëmijët tanë, gjuhën shqipe mund tua bartin fëmijëve të tyre. Ai e shpjegonte se si ishte fjala për dygjuhësi. Ai shtoi se Arbanasët e Zarës janë shtetas kroatë, të cilët e dinë mirë prejardhjen e tyre, dhe që janë nga viset e Kryepeshkopatës Katolike të Tivarit (Brisku, Shestani etj) (burimi: Arbanaški govor u Registru nematerijalne baštine RH .Anamarija Bilan, 2010).