Keni deklaruar: “Besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajo, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare. T’i çelë dyert e shkollave për t’i dhënë çdo fëmije mundësinë të armatoset me instrumentet e dijeve dhe të mos jetë viktimë e propagandave tunduese të atyre që s’kanë asnjë lidhje me profetët që i çelën rrugë qytetërimeve të sotme dhe që në emër të islamit kryejnë krime të cilat janë të destinuara të ndëshkohen sepse janë të ndëshkuara qysh në librat e shenjtë. Unë besoj se sot të gjithë duhet të ndjejnë përgjegjësinë e madhe të faktit se të rinjtë, adoleshentët në Tiranë apo në Paris, në Prishtinë apo në Londër, në Evropë apo në Amerikë janë të paarmatosur me instrumentet e dijes për t’u përballur me demagogët, me sharlatanët, me maskarenjtë që kërkojnë të nxjerrin përfitime duke e përgjakur njerëzimin apo duke e tërhequr prej hunde”,
Mos , Zoti Rama ! Nuk luftohet ekstremizmi fetar me mësimin e fesë në shkollat shqipe !

Fytyrën e mirë ose të keqe për ne nuk mund ta bëjnë as zyrtarët tanë, por as pështjelluesit tonë, as nacionalizmi i tepruar por as mohuesit e tij, as diplomatët mendjelehtë e as gazetarët e opinionistët e porositur, të gjithë të etur për lavdi e para pa marrë parasysh mënyrën.

Kultura dhe mendimi i një populli qëndron në një lashtësi të shquar, por që përpiqet ta ngrejë lart gjithë kombin. Ne na duhet duhet që shkollat tona të jenë centropetale në edukimin tonë. Çdo futje e fesë në shkolla i aktivon forcat centrifugale që na bëjnë të ikim nga ajo që jemi; e kjo e sjell vetëm një gjë: kthimin prapa. Nëse, ne duhet të punojmë për të mirën e kombit, për pastrimin tonë shpirtëror duhet të punojmë që t’i bindim që të gjithë të rrokemi pas një gjëje konkrete, të prekshme dhe që na bën nder në mesin e kombeve të cilivizuara. Ç’më duhet mua që fëmijën tim ta kthej mbrapa në besimin se bota është e rrafshtë, në besimin e buallit që mban botën dhe çdo lëvizje e tij i krijon tërmetet, në besimin se shkolla e Darvinit mbi evolucionin ishte e gabuar?

“Memorandumi për Shqipërinë”, i shkruar nga princ Vidi nga mbarimi i vitit 1917, e i mbetur vetëm si dorëshkrim në Bibliotekën e Këlnit , paraqet më shumë se një rrëfim të një personaliteti të rëndësishëm, i cili në një kohë tepër kritike për fatet e Shqipërisë, do të pranojë të vihet në krye të saj me qëllimet më të sinqerta që t’i ndihmojë bërjen e saj shtet evropian. Kështu shkruan Jusuf Buxhovi në librin e tij: “Nga Shqipëria osmane te Shqipëria evropiane”. Të bën përshtypje të madhe kur princ Vidi këtu kërkon përveç tjerash edhe bërjen e shkollave të mira. I njoftuar mirë që ishte dhe i bindur se mund të ketë grindje të brendshme fetare kërkonte që shkollat të mos bëhen vatra të përhapjes fetare. Shumë interesant është të theksohet se në kohen e tij në programin e tij qeveritar ai kërkonte që shkollat të bëhen vatra të edukimit të të rinjve shqiptarë për çështje të mbara dhe për edukimin pro evropian. Normalisht që në memorandumin e tij ai kërkonte që fetë të jenë të lira, por ai ishte kundër kërkesave të huajve që me anën e fesë ata të arrijnë ndikimin në riformimin e popullit tonë.

“Rama tha se të rinjtë sot janë të paarmatosur me dijen fetare për t’u përballur me ekstremizmin ekstrem që nuk ka asnjë lidhje me fenë. “ Jeni të sigurt në këte që thoni ? Jo Zoti Rama , jo !

Për Ramën “Ky projekt konsiston jo në cenimin e laicitetit të shkollës por në forcimin e themeleve të kulturës laike e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm,  apo të atij me kostum e kravatë nëse nuk arrin të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve me instrumentin njohës për faktin fetar si gjenerues civilizimesh dhe me vëmendjen e mprehur për të mos rënë pre e tundimeve të mëdha që joshin dhe kthejnë në viktima fatkeqe të xhihadizmit apo të ekstremizmit politik vajza e djem që s’kanë fuqinë e brendshme shpirtërore se ju mungojnë këto instrumente”.
Sa keq e keni , po i premtoni shkollës shqipe një humnerë !

Me 10 mars 1937, Zogu nxori ligjin “per ndalimin e mbulimit te fytyres me perçe nga grate”…Ky nuk ishte nje akt thjeshte deklarativ. Ishte ligj urdherues me zbatim te detyrueshem. Shkelesit do te perballeshin me ndjekje penale qe shkonin nga gjobat deri ne burgim. Viheshin para pergjegjesise i ati, i shoqi… “nese nuk ushtronin ndikimin e tyre per te hequr mbulesen e fytyres me çdo mjet mbulimi”, ata gjobiteshin me 1000 franga ari. Ata qe nxitnin shkeljen e ligjit dhe benin presion per mbajtjen e perçes, veç gjobes me te rende, 2000 franga ari, mund te denoheshin me nje muaj burg. Ne raste te veçanta burgu mund te zgjatej deri ne nje vit, ose fajtori internohej nga tre muaj deri ne tre vjet. Sanksione te jashtezakonshme parashikonte ligji per “ata qe benin propagande per mbajtjen e perçes:denim me burg deri ne. pesembedhjete vjet”. Arben Puto, Shqiperia politike, botimet “Toena” 2009, f.594

Krizën e moralit kombëtar dhe kthimin e humbjes së vlerave të tij nuk e rregullon futja e fesë në shkolla, ajo në të kundërtën shkon në thellimin e tyre. Krizën materiale, varfërinë ekonomike dhe mendore, lakminë e fitimit të shpejtë pa marrë parasysh rrugën dhe mjetet e sollëm vetë ne me mënyrën tonë të bërjes së shtetit.

Kur shpirti i një kombi stërkeqet nga varfëria e nga lakmia, nuk ka asnjë bindje fetare që mund ta shërojë atë. Vetëm kamja mund t`a ndritë mendjen. Nuk ka nevojë që t’i bindim edhe bashkatdhetarët tanë nëpër Evropë nga misionarët tanë se si të largohen nga e keqja; kur ata jetojë në vende moderne aty ku dihet se si ndahet “shapi nga sheqeri”.

“Në Zot ne besojmë”, për shqiptarët ai zot është mysliman, katolik, protestan, ortodoks, Baptist…Ne… Me futjen e fesë në shkolla atëherë secili duhet të mësojë varësisht nga ora që e ndjek nga predikuesi i uniformuar që shkon aty të bindë të rinjtë se Zoti është vetëm i tyre dhe se zoti i të tjerëve nuk është për t’u përmendur.

Rryma përparimtare që e ka kapluar shoqërinë shqiptare në përgjithësi, duhet te jetë aq e fortë sa që edhe ata që mendojnë ta kthejnë rrotën e historisë prapa duhen ta kenë të kotë.
Pra, në rrethin shpirtëror, në zotërimin e vlerave të krijuara, ne, asnjëherë nuk iu kemi pasur lakmi të tjerëve. Duke mos u pasur lakmi të tjerëve, ne nuk iu kemi as mëni as zili për të huazuar nga ata gjëra të cilat na shkojnë ndesh me krenarinë tonë dhe uniken tonë në botën ku jemi.