(Nje thirrje nga zemra e Faik Konices “ Muhamedane,shqiptare bashkohuni me vellezerit e krishtere bashkohuni per te miren e kombit tone!”

“I hope very much that the Constitution may last long enough for the Albanian people tu pull itself together and be able to stand out for indepedence when Turkey in Europe breaks up”.

“Kam shumë shpresë që Konstitucia mund të rojë miaft kohë sa të bashkohet populli shqiptar dhe të jetë i zotë të qëndrojë për çlirim kur Turqia n’Evropë të thyhet”.
Nga një letrë të veçantë prej një Englizi të njohur te Dreqtori [Drejtori] i ALBANIES, vjeshtë III, 1908.)

ZOTERINJ- E thëna e së vërtetës nukë sjell nonjë fitim; po ka një ëmbëlsie më vete, sepse të qetohet vetëdija kur fole ç’duhej të flisje. Unë e di fort mirë, ma kanë thënë edhe miq qindra herë që do t’ju pëlqeja shumë më tepër sikur të ju veja pas “qejfit”, sikur të flisja ashtu si jini të mësuar të dëgjoni prej të tjerësh. Po natyra ime është ndryshe. Dhe, i shtyrë prej kësaj natyre, dëshiroj sot të ju shkunt nga gjumi, të ju thom ca të vërteta t’ashpra, por të ftohta dhe të matura, dhe të ju bëj armiqt’e mi sa-do-që nuk më njihni: po të tilë armiq, që në ca vjet, në pakë vjet, të thoni: “Ah, ç’na këshillonte mirë! Ah sa të dreqtë [drejtë] kish! Ah sikur t’i kishim vënë veshin!” Po pendimi i vonuar nuk sjellë dobie.
Ç’kam për të thënë, mund të përmblidhet në një paragraf pesë frasash:

1° Osmanllinjtë në pakë vjet do të dbohen nga Evropa; – 2° Shqipëria e pabashkuar dhe e paqytetëruar, e mbetur nga faji i saj pa miq të fortë perjashta, do të ndahet; – 3° Shqiptarët muhamedanë do të dbohen duke humbur gjithë mallin dhe kamjen; – 4° Osmallinjtë nuk do t’i qasin n’Anadoll shqiptarët e dbuar; – 5° në mos idealismi, të paktën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni nga dy gjëra njërën: a të kthehni te feja e stëgjyshërve tuaj, a të mbeteni muhamedanë, po duke u lidhur me aq vërtetësi dhe zemre me të krishterët nga gjaku juaj sa t’i jipni kombit t’uaj një karakter gjysmë të krishter.

Këto janë adfirmacione [pohime]. Zotërinj, po i provoj. Ju ftoj t’i bisedojmë. Ju hap ALBANIEN për kundërshtime, në qoftë që dini t’i bëni njerëzisht, dhe jo pas adetit të miletit osmanlli, duke u përgjëruar n’ato që nuk thashë dhe duke lënë pa përgjigjje ato që thashë me të vërtet.

Pika e parë është: Osmalinjtë në pakë vjet do dëbohen nga Evropa. Zotërinj, gjithë bota e dinë që, sikur të mos kish qenë kasnecuar e vetëthëna “konstitucie” në korrik 1908, Maqedhonia do të qe njohur për gjysmë autonome. Të rrenat e Xhonëve e qëndruan [frenuan] këtë plan, po jo për gjithnjë. Idealister dhe trima, bullgarët e Maqedhonisë shpejt a von do të ngrihen, këtë radhë të ndihur edhe nga Bullgaria, e cila është e zonja t’i thyej kokën Turqisë. Pastaj Bullgaria ka edhe Rusinë, ndofta Serbinë, Rumaninë, Malin e Zi. Ka tertib me të mirë se të Turqve, të cilët, më thosh një filaq, luftën e fundit me Grekët e fituan me të vështirë. Pra, në pakë vjet, Sllavët të bashkuar do t’i përzënë Osmanllinjtë nga Evropa.

Pika e dytë është: Shqipëria do të ndahet. Zotërinj, kush do t’ju njohë liri juve, kur s’jini të zotët as një shoqëri t’organizoni, jo më një administracje. Dhe ç’janë ato prralla për të luftuar dhe për të qëndruar? Lufta bëhet me fishekë, fishekët mbushen me barut, baruti bëhet me salpêtre [nitrat]; kjo lëndë e fundme vjen nga jashtë, dhe po të dojë Evropa jua a pret armët me një herë, si pritet ujët e një kroji. Çapëni ahere të bëni luftë me shkopinj. Apo a kujtoni se këto nuk i kanë mejtuar dhe nuk i dinë jashtë?… Evropës i është mbushur koka me kohë të ndahet Shqipëria. Lord Lasndowne-i tha katër vjet më parë që Toskëria i bie [i takon] Greqisë, etj.

Ç’do komb i Ballkanit lakmon një copër të Shqipërisë dhe ka gjetur mpronjëtore që ia kanë taksur.

Pika e tretë: Shqiptarët muhamedanë do të xvishen dhe do të dbohen. Për të vërtetuar këtë, shikoni Vranjën dhe Leskovacin. Kur i mori Serbia këto vise, i përmblodhi të gjithë muhamedanët dhe i dboj, duke ua mbajtur tërë ç’kishin. A protestoj Evropa? Jo! Po ndofta bëhet ndryshe gjetkë? Jo, s’bëhet ndryshe; se në mos ju grabitshin çiltas gjene, do t’ju mundojnë aqë sa të shtrëngoheni ta shisni që t’ikni. Po ahere, do të ndodheni përpara një konspiracjes, e cila një tokë 1.000 lirash do t’ju forcojë ta lini për 25 lira. Njoha një dipllomat i cili më tha që kur u-bë Bullgaria më vete, vate një Turk dhe i proponoj t’i shesë për dhjetë lira një shtëpi të bukur me disa ara. Tre vjet më parë, flisja me një zot, mik të math të Shqipërisë. Më tha: “Ferid Pasha bleu një çiflik të ri afër Durësit”. Thashë unë: “Do të vlejë shumë ky çiflik kur të ndahet vendi nga Turqia”. “A me vërtet?” m’u përgjigj miku, “thoni që Feridi do ta humbasë fare, se do t’ia marin!” A ka fjalë më të zonjën të ju bëjë të mejtoheni?

Pika e katër është: Osmallinjtë nuk do t’i qasin n’Anadoll shqiptarët e dbuar. Të ju thom, sepse gjer më sot, Turqia i ka pritur mirë muhaxhirët dhe u ka falur tokë; po politika e saj ish të bënte qentra fanatikësh, që me anë të këtyreve të çponte të mbeturit në vende të zaptuara. Kuptoni udobisht që kur të kthehet n’Anadoll Turku, do t’i pritet fare shpresa nga viset e zaptuara, dhe do ta lëjë politikën e zakonshme të saj. Pastaj Turku Shqiptarët nuk i do as tani që u ka nevojën; ahere do t’i dojë? Ahere kur fajin e dbimit do t’ua hedhë Shqiptarëve, se do të thotë këta i ngrenë qafiret duke i bezdisur me të këqijat e tyre. Hiqeni pra fare shpresën andej. Kur t’i veni Turkut n’Anadoll, në vent që t’ju thotë: “Hosh gjelden”, do t’i thërrasë ushtrisë: “Vur bu qerata Arnautllari mahv ollsun ibneler!”

Pika e pestë është: Si mund t’i largoni këto të këqijat? Unë ju thom: Në doni, kthehuni në fée të stërgjyshërve t’uaj, të cilët, si e bën “ispat” “tarihu”, ishin kaurë, gjaurë, qafirë, po që u bënë muslimanë nga “zullumi”. Këtë e dini edhe vetë, se edhe sot shihni për dita, në vilajet të Shkodrës, të krishterë që bëhen “turç”. Të kthyerit tuaj në fée të vjetër do të sillte me një herë bashkimin e kombit. Po këtë e thom se bie fjala, se e di që s’bëhet dhe s’duhet bërë. Mbetet islamismi. Mbajeni këtë besë, po duke larguar të ligën politikë që sjell, e cila është që i huaji nuk e ndan Turkun nga Shqipëtarin musliman.

Një shkronjëtor politik i njohur më thosh një ditë: “Evropa nuk do ta kish dhënë Vranjën te Serbia dhe Ulqinin te Mali i Zi, sikur të kish kuptuar që ka një komb shqipëtar të ndryshmë nga të Turkut. Po u lajthit puna e besës [ndërhyri puna e fesë]”.Duhet pra këtë ndryshim ta çfaqni: 1° duke lënë të përdorurit e fjals “turk” për “musliman” a “muhamedan”; dhe shihni sa të marrë jini: Turku vete ju thërret “musliman”, ju nuk e përdorni këtë fjalë po thoni “turk”! 2° të arrini pakë nga pakë të mos e njihni sheh-islamin, por të kini për punët e fesë një synod musliman, të quajtur “Arnautlluk mexhilis-i-‘ulemasi”, dhe kryetari t’emërohet “reis-ul-‘ulema”; 3°ky synod të bëjë ca kanune fetare sipas zakoneve të kombit t’onë; 4° sa për bektashinjtë, të reformohen e t’organizohen më mirë; të heqin dorë nga alkoolizmi; të kenë një seminar për dervishët, ku të mësohen filosofia dhe letrat më profesore nga Gjermania. Teqetë kanë para sa të duash për këtë punë. (Medreset’ e Turqvet këtej e tutje do të kenë edhe një mësonjës të frëngjishtes. Shihni sa poshtë kini rënë: edhe mollahët turq jua shkuan!)

Po të gjitha këto do të jenë më kot po të mos përhapni te populli mendime njësie dhe vëllazërie me të krishterët. Për këtë dhe për të tjera do të flas më gjatë një tjatër herë.
Ju hapa zemrën. Në u pezmatofshi, s’kini arsye, se ju fola lirisht për të mirën t’uaj, ashtu si ma pret mendja. Në mos u’ pezmatofshi, mejtohuni për këto që po ju thom, se s’janë prralla.

Në vapor “Princesse Clémentine” nga Doveri në Ostende, 1908.

Po ç`na thotë Fotaq Andrea  ?

“Dhe përpara Shqiptarit të fillimshekullit XX, ushqyer shpirtërisht jo më nga një fe e përbashkët, por nga katër fe të veçanta, ajo myslimane, katolike, ortodokse dhe bektashiane, Konica i ri dinte ta hidhte vështrimin edhe thellë në Histori të Shqipërisë, te feja e Skënderbeut, Heroit Kombëtar, te ato kohëra epokale shqiptare që mbetën përjetësisht të lavdishme.

Jo, Konica nuk kërkon doemos rikthim në fenë katolike të Shqiptarit, ai respekton dhe vetëm respekton (si përzgjedhje individuale) çdo fe, e në radhë të parë atë myslimane, por nuk e kursen penën e tij për të goditur ashpër praktikat dhe mentalitetet e prapambetura anadollake, errësimet e mendjes e të shpirtit, kur bota e qytetëruar ecën tashmë me hapa vigane drejt përparimit e lulëzimit. Në këtë aspekt, shkrimet e mëposhtme që po japim për botim kanë një theks tepër aktual për krejt botën e sotme shqiptare, kur mësymjet e furishme fanatike, deri edhe ekstremiste fetare kërkojnë si e si skllevër të rinj shpirtërorë, poshtërim të gruas, motrës e vëllait tonë shqiptar, për të shitur e mohuar gjer edhe identitetin e tij kulturor e kombëtar.

Serbia, Greqia, Maqedonia, deri edhe Mali i Zi, si morën padrejtësisht llokme të majme të trojeve shqiptare, si i asimiluan e dëbuan Shqiptarët që andej, sot këndojnë ende këngën ogurzezë të minoriteteve të tyre në Shqipëri e Kosovë mbi bazë feje, duke rritur artificialisht numrin e pakicave kombëtare, gjer edhe Turqia e Rumania, për të shpallur gjithë potere propagandistike shifra marramendëse artificiale, kaq mijëra që na qenkan vllehë, kaq mijëra e mijëra që na qenkan grekë, kaq mijëra trefish që na qenkan turq, e deri edhe egjiptianë, etj. për të mos mbetur hiç Shqiptarë e hiç troje shqiptare, për t’i zhdukur e fshirë nga faqja e dheut, ashtu siç u masakruan e dëbuan Çemërit nga trojet e tyre, ashtu siç u asimiluan krejt Shqiptarët e Moresë dhe të ishujve të Greqisë, Shqiptarët e Kostandinopojës e të Turqisë, të Malit të Zi apo Maqedonisë, e me radhë! E sot Greqia, ku ndodhen mbi 750 mijë Shqiptarë, por që asnjëherë nuk ka pranuar ekzistencën e minoriteteve, nuk ka hapur një shkollë shqiptare, nuk ka nënshkruar e ratifikuar Konventat evropiane për pakicat kombëtare etj. veç ulërin për censuse, ulërin për Himarën, për Jonin, për Epirin shqiptar që na e quaka grek e na i venka kufirin gjer në Elbasan e madje Tiranë. Ja rreziku real i kombit shqiptar, nga Mitrovica në Himarë e Korçë për të cilin jepte alarmin që njëqind vjet më parë Faik Konica, ambasadori i përhershëm e i përjetshëm i shqiptarisë dhe i Shqipërisë së qytetëruar.( Fotaq Andrea  )

E pergatiten per shtyp Fahri Xharra dhe Teri Hoxha.

 

faik-konica